Falje, mëshirë dhe fitore
آمَنَ الرَّسُولُ بِمَا أُنْزِلَ إِلَيْهِ مِنْ رَبِّهِ، وَالْمُؤْمِنُونَ كُلٌّ آمَنَ بِاللَّهِ، وَمَلَائِكَتِهِ، وَكُتُبِهِ، وَرُسُلِهِ لَا نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍ مِنْ رُسُلِهِ، وَقَالُوا سَمِعْنَا، وَأَطَعْنَا غُفْرَانَكَ. رَبَّنَا وَإِلَيْكَ الْمَصِيرُ لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا لَهَا مَا كَسَبَتْ، وَعَلَيْهَا مَا اكْتَسَبَتْ. رَبَّنَا لَا تُؤَاخِذْنَا، إِنْ نَسِينَا أَوْ أَخْطَأْنَا. رَبَّنَا وَلَا تَحْمِلْ عَلَيْنَا إِصْرًا كَمَا حَمَلْتَهُ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِنَا. رَبَّنَا وَلَا تُحَمِّلْنَا مَا لَا طَاقَةَ لَنَا بِهِ، وَاعْفُ عَنَّا، وَاغْفِرْ لَنَا، وَارْحَمْنَا أَنْتَ مَوْلَانَا، فَانْصُرْنَا عَلَى الْقَوْمِ الْكَافِرِينَ.
آمَنَ الرَّسُولُ بِمَا أُنْزِلَ إِلَيْهِ مِنْ رَبِّهِ وَالْمُؤْمِنُونَ كُلٌّ آمَنَ بِاللَّهِ وَمَلَائِكَتِهِ وَكُتُبِهِ وَرُسُلِهِ لَا نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍ مِنْ رُسُلِهِ وَقَالُوا سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا غُفْرَانَكَ رَبَّنَا وَإِلَيْكَ الْمَصِيرُ لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا لَهَا مَا كَسَبَتْ وَعَلَيْهَا مَا اكْتَسَبَتْ رَبَّنَا لَا تُؤَاخِذْنَا إِنْ نَسِينَا أَوْ أَخْطَأْنَا رَبَّنَا وَلَا تَحْمِلْ عَلَيْنَا إِصْرًا كَمَا حَمَلْتَهُ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِنَا رَبَّنَا وَلَا تُحَمِّلْنَا مَا لَا طَاقَةَ لَنَا بِهِ وَاعْفُ عَنَّا وَاغْفِرْ لَنَا وَارْحَمْنَا أَنْتَ مَوْلَانَا فَانْصُرْنَا عَلَى الْقَوْمِ الْكَافِرِينَ
Ngarkimi i audios dështoi. Provo përsëri më vonë.
I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!” Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti Ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!”
Format: Masdari zëvendësues “Gufrānaka” (غُفْرَانَكَ — kërkojmë faljen Tënde), pas të cilit vijnë format ndaluese “lā tu’ākhidhnā” (لا تُؤَاخِذْنَا) dhe lutja “wa‘fu ‘annā” (وَاعْفُ عَنَّا). Dy ajetet madhështore përmbyllëse të sures “El-Bekare”.
Tefsiri i shejh Abdurrahman Es-Sa’diut
âmener-resûlu bi mã unzile ilejhi mir-rab-bihî uel mu'minûn - “I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij e ashtu bënë edhe besimtarët.” - Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na pasqyron besimin e profetëve dhe të pasuesve të tyre të denjë. Besimi i tyre ishte i shfaqur me nënshtrim, bindje, pendim të sinqertë e kërkim faljeje për mangësitë e tyre. kul-lun âmene bil-lâhi - “Secili i besoi Allahut...” - Ky besim është pranimi dhe pohimi i gjithçkaje që Allahu i Lartësuar na ka treguar rreth Vetes së Tij Ne duhet të besojmë, gjithashtu, gjithçka që kanë treguar profetët rreth Zotit të tyre.
Profetët kanë folur qartë rreth emrave dhe cilësive të plota e absolute të Allahut. Ne duhet t’i besojmë ato, duke i marrë në mënyrë të përgjithshme dhe në mënyrë të hollësishme. Besimi në Allahun kërkon që ne ta konsiderojmë Atë të pastër nga çdo përngjasim dhe shembëllim me krijesat, por duhet, gjithashtu, që të mos mohojmë asnjë cilësi të Tij të pohuar nga vetë Ai ose nga Profeti i Tij.
Ne duhet ta konsiderojmë Atë të pastër nga çdo cilësi e mangët dhe e papranueshme për Të. ue melãiketihî ue kutubihî ue rusulihî. - “...melekëve të Tij, shpalljeve të Tij dhe të dërguarve të Tij...” - Ne duhet të besojmë dhe të pohojmë për melekët gjithçka që është transmentuar saktësisht prej Sheriatit rreth tyre. Ne duhet të besojmë, po ashtu, gjithçka që na kanë sjellë profetët dhe gjithçka që përmbajnë librat e Zotit.
Profetët kanë sjellë mesazhe, urdhra, ndalesa, dispozita e ligje; të gjitha këto duhen besuar dhe trajtuar ashtu si duhet. lâ nufer-riķu bejne eĥadim-mir-rusulih - “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” - Besimtarët e drejtë nuk bëjnë dallime mes profetëve, por i besojnë të gjithë, sepse ata kanë qenë zëdhënësit e Zotit te krijesat. Sikur të mohosh vetëm njërin prej profetëve konsiderohet si mohim i të gjithë atyre, madje konsiderohet mohim i Zotit. Ue ķâlû semi'nâ ue eŧa'nâ - “Ata thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm.”” - Besimatrët e drejtë thonë “Dëgjuam”.
Pra, ata i dëgjojnë me vëmendje dhe përkushtim urdhrat dhe ndalesat e Zotit. Ata janë të vëmendshëm ndaj kufijve të Tij. Pastaj thonë: “...u bindëm”. Për çdo urdhër dhe ndalesë që dëgjojnë, ata nuk e neglizhojnë, por binden dhe i zbatojnë.
Ata thonë: “I dëgjuam ato që Ti na urdhërove dhe na ndalove dhe u bindëm, duke i zbatuar ato”. Ndryshe nga të dëshpëruarit, të cilët thonë: “Dëgjuam, por nuk bindemi!” ĝufrâneke rab-benâ ue ilejkel maŝîr - “Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë. Vetëm tek Ti është e ardhmja jonë.”” - Duke qenë se njeriu shfaq mangësi në përmbushjen e dispozitave të vendosura nga Zoti, ai gjithmonë do ketë nevojë për faljen dhe mëshirën e Tij.
Kështu, ne duhet të themi vazhdimisht: “Kërkojmë faljen tënde, o Zoti ynë. Kërkojmë faljen Tënde për çdo mangësi tonën në plotësimin e adhurimeve. Kërkojmë faljen Tënde edhe për shkeljen e kufijve dhe gjynahet që bëjmë. Ne kërkojmë që të na i mbulosh dhe të na i fshehësh të gjitha ato gjynahe dhe padrejtësi që kemi bërë.”
Pastaj vjen një fjalë nxitëse dhe qortuese njëkohësisht: “Vetëm tek Ti është e ardhmja jonë.” Të gjitha krijesat do të grumbullohen një ditë te Zoti i tyre, ku do të shpërblehen për të mirat ose të këqijat që kanë bërë. Kur u shpall ajeti 284 i kësaj sureje, dhe pikërisht thënia e Allahut të Lartësuar: “Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. E shfaqni apo e mbani të fshehtë atë që e keni në veten tuaj, Allahu do t’ju marrë në përgjegjësi.
Ai fal atë që do dhe e dënon atë që do. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.”, kjo vërtet i rëndoi dhe i frikësoi shumë muslimanët, sepse menduan se do të merreshin në përgjegjësi për çdo gjë që kalon nëpër zemër, qoftë një mendim a qëndrim i konsoliduar, qoftë thjesht një mendim i çastit. Por Allahu i Lartësuar i sqaroi ata, duke u thënë: lâ jukel-lifull-llâhu nefsen il-lâ us'ahâ - “Allahu nuk ngarkon asnjë përtej mundësive të tij” - Pra, Allahu i Lartësuar nuk ngarkon asnjë përtej mundësive të tij.
Madje, Ai nuk ngarkon as me diçka që mund të jetë disi e vështirë për t’u përballuar, siç thuhet në suren Haxh: “Ai nuk ju ka ngarkuar me ndonjë vështirësi në fe...”. Të gjithë urdhrat dhe ndalesat hyjnore, në thelb, nuk janë të vështira të përmbushen. Përkundrazi, ato meritojnë me plot të drejtë të quhen ushqim për shpirtin dhe ilaç për trupin. Ato parandalojnë të këqijat që mund të prekin njeriun.
Çdo urdhër i Allahut të Lartësuar është mëshirë dhe bamirësi për krijesat. Edhe në ato raste kur, për ndonjë shkak të caktuar, zbatimi i urdhrave bëhet i vështirë ose i pamundur, Ai ka vënë dispozita lehtësuese, për t’ua thjeshtuar krijesave zbatimin e ligjeve të Tij. lehâ mâ kesebet ue alejhâ mektesebet. - “...ai (robi) do të marrë atë çfarë ka fituar dhe do të ketë kundër atë çfarë ka merituar.” - I Lartësuari na tregon se çdokush do të shpërblehet plotësisht për veprat e mira që ka bërë. Gjithashtu, mbi secilin do të rëndojë çdo vepër e keqe që ka bërë.
Askush nuk do të marrë mbi supe peshën e gjynaheve të tjetërkujt, dhe askush nuk do të marrë shpërblimin e veprave të mira të dikujt tjetër. Për të treguar përpjekjet për të bërë vepra të mira, të cilat do të shpërblehen nga Ai, Allahu i Lartësuar ka thënë: “lehâ mâ kesebet” , që nënkupton (në arabisht) se veprat e mira dhe shpërblimi për to fitohen edhe pa shumë lodhje, sepse mundësitë e robit për të kryer vepra të mira janë shumë të mëdha dhe shumë të thjeshtëzuara.
Madje edhe thjesht duke pasur si qëllim kryerjen e një vepre të mirë, ai e merr shpërblimin sikur e ka bërë atë vepër të mirë, edhe nëse nuk arrin ta finalizojë atë. Ndërsa kur flet për veprat e këqija, për mënyrën e kryerjes së tyre dhe për shpagimin që meritojnë, Allahu thotë: “ue alejhâ ma iktesebet” , duke përdorur fjalën “iktesebe” = meritoi plotësisht. Pra, kuptimi është: njeriut nuk i shkruhet puna e keqe, derisa ai ta kryejë atë, ndryshe nga vepra e mirë, e cila shkruhet dhe shpërblehet edhe nëse ai e ka vetëm si qëllim.
Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar foli rreth besimit të Profetit dhe besimtarëve të mirë. Ai tregoi, gjithashtu, se çdokush do të shpërblehet sipas punës që ka kryer. Më pas, është normale që adhuruesi të shfaqë mangësi, duke gabuar dhe harruar, por Allahu nuk e ngarkon atë tej fuqive dhe mundësive të tij, prandaj udhëzon që ne të lutemi me disa fjalë të mrekullueshme. Profeti (a.s.) na ka treguar se kur besimtarët i drejtohen Allahut të Lartësuar me këto fjalë të veçanta, Ai thotë: “E pranoj lutjen tuaj.”
Rab-benâ lâ tu'âħidhnã in-nesînã eu eħŧa'nâ - “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!” - Kuptimi: Mos na merr në përgjegjësi, nëse harrojmë ose gabojmë. Por cili është ndryshimi mes harresës dhe gabimit? Harresa ndodh kur lihet pa zbatuar një urdhër, për shkak të pakujdesisë së zemrës. Kështu, besimtarët i kërkojnë falje Allahut për ato dispozita të cilat i kanë lënë pa zbatuar, për shkak të harresës.
Ndërsa gabimi ndodh kur synohet diçka e lejueshme për t’u vepruar, por që më pas finalizohet duke kryer diçka tjetër të palejueshme, pa qëllim. Me fjalë të tjera, të synosh kryerjen e diçkaje të lejueshme, por gabimisht të veprosh të palejueshmen. Pra, besimtari kërkon falje edhe për veprat e kryera gabimisht. Megjithatë, Allahu i Lartësuar ia ka falur këtij umeti të dyja këto lloj mangësish, në shenjë butësie dhe mëshire ndaj tyre.
Duke u mbështetur në këtë ajet, janë nxjerrë shumë dispozita lehtësuese, prej të cilave mund të përmendim: - Nëse falesh duke qenë i veshur me rroba të vjedhura ose të papastra, e ke namazin të saktë, nëse e harron një fakt të tillë gjatë kohës që kryen namazin. - Nëse harron se në rroba apo në trup ke papastërti, dhe falesh me to, namazi është i saktë, domethënë, nuk ka nevojë të përsëritet. - Nëse gjatë namazit harron se je duke u falur dhe fillon të flasësh fjalë që s’i përkasin faljes, namazi nuk prishet, sepse çdo gjë ka ndodhur nga harresa. - Nëse kryen ndonjë vepër që prish ihramin e haxhit dhe umres, duke e harruar se je në ihram , je i falur nga Allahu.
Megjithatë, këtu duhet pasur parasysh që, nëse me këtë vepër sjell dëme, ato duhet të zhdëmtohen dhe kompensohen sipas ligjit. - Nëse betohesh se nuk do të bësh diçka dhe e thyen këtë betim nga harresa, nuk ke gjynah dhe nuk e ke të detyrueshëm kompensimin e betimit të thyer, sepse ky betim nuk konsiderohet i thyer. - Nëse dikush vret dikë gabimisht, pa dashje, pa qëllim, ose shkatërron pasurinë e dikujt gabimisht, pa dashje, ai nuk ka gjynah tek Allahu i Lartësuar.
Ndërsa dëmet e shkaktuara duhet patjetër të kompensohen, sepse e drejta e tjetrit duhet vënë në vend. - Në të gjitha ato raste kur është e detyrueshme thënia e “ Bismilah -it” dhe harrohet të thuhet, kjo harresë është e falur dhe e padëmshme. Rab-benâ ue lâ taĥmil alejnã iŝran kemâ ĥameltehû alel-ledhîne min ķablinâ. - “Zoti ynë, mos na ngarko me barrë të rëndë, siç ngarkove ata që ishin para nesh!” - Kuptimi: Mos na ngarko me atë iŝran . Isran quhen dispozitat e vështira për t’u zbatuar dhe për t’u përballuar.
Allahu i Lartësuar ia ka plotësuar këtë lutje umetit tonë, duke u dhënë lehtësime në të gjitha fushat e Sheriatit dhe jetës njerëzore, dhe kjo ka ndodhur vetëm për këtë umet. Rab-benâ ue lâ tuĥam-milnâ mâ lâ ŧâķate lenâ bih- - “Zoti ynë, mos na ngarko më tepër sesa kemi fuqi!” - Edhe këtë lutje e ka plotësuar i Mëshirshmi dhe i Dashuri. Atij i qoftë lavdia dhe mirënjohja e plotë! uea'fu an-nâ ueĝfir lenâ uerĥamnâ - “Na i shlyej gjynahet, na i mbulo të këqijat e na mëshiro!” - Falja dhe mbulimi i gjynaheve janë garanci për shpëtimin nga çdo gjë e keqe që njeriu i druhet në këtë jetë dhe në jetën tjetër.
Ndërsa mëshira është ajo, nëpërmjet së cilës rregullohen të gjitha çështjet dhe arrihet çdo gjë e dëshiruar dhe e mirë, në këtë jetë dhe në jetën tjetër. ente meulânâ fenŝurna alel ķaumil kâfirîn. - “Ti je Mbrojtësi ynë! Na ndihmo kundër atyre që nuk besojnë!” - “Meulânâ” , domethënë: Zoti ynë, Sunduesi, i Pushtetshmi, i Adhuruari, Kujdestari ynë. Meulânâ është Azgjedhurit dhe të dashurit e Tij, që nga momenti që i krijon. O Zoti ynë, mirësitë e Tua janë të pashtershme e të pandërprera në asnjë çast, që kur na krijove dhe na furnizove me të mira.
Mirësitë e Tua vetëm shtohen. Mirësia më e madhe është pikërisht Islami. Kjo është mirësia më e madhe që kemi, sepse të gjitha mirësitë e tjera janë degëzime dhe rrjedhime të saj. Ne po të lutemi, o Zoti ynë, që ta plotësosh dhe ta vazhdosh këtë mirësi të madhe, duke na ruajtur prej mohuesve e mosmirënjohësve ndaj Teje.
Ata të mohojnë Ty dhe të dërguarit e Tu. Ata dalin kundër besimtarëve të Tu të sinqertë, të cilët përhapin mirësinë dhe fenë Tënde. Ata e shpërfillin adhurimin dhe ligjin Tënd. Na ndihmo, o Zot, kundër tyre, me ndihmën dhe suksesin Tënd!
Na ndihmo kundër tyre, duke na dhuruar argumentim bindës dhe të qartë! Na ndihmo kundër tyre edhe me fuqi, edhe me shpatë, nëse e kërkojnë vetë një gjë të tillë! Na ndihmo të përhapim në tokë mirësinë, që të sundojë paqja dhe adhurimi Yt! Na ndihmo kundër tyre, duke na udhëzuar në besimin e drejtë dhe veprat sipas tij!
Vërtet, ndihma e Allahut është afër atyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira.i që vazhdon të përkujdeset për krijesat e Tij dhe, në mënyrë të veçantë, për të
Tefsiri i imamit Ibn Kethir
Përmendja e haditheve të transmetuara lidhur me virtytin e këtyre dy ajeteve fisnike; Allahu na bëftë dobi nëpërmjet tyre.
Hadithi i parë: El-Buhariu ka thënë: Na ka treguar Muhammed ibn Kethiri, na ka njoftuar Shu‘beja, nga Sulejmani, nga Ibrahimi, nga Abdurrahmani, nga Ebu Mes‘udi, nga Profeti ﷺ, se ka thënë: “Kush i lexon dy ajetet…” Dhe na ka treguar Ebu Nu‘ajmi, na ka treguar Sufjani, nga Mensuri, nga Ibrahimi, nga Abdurrahman ibn Jezidi, nga Ebu Mes‘udi, se ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush i lexon natën dy ajetet e fundit të sures El-Bekare, ato i mjaftojnë.”
Edhe pjesa tjetër e koleksioneve të hadithit e ka transmetuar këtë nëpërmjet Sulejman ibn Mihran el-A‘meshit, me të njëjtin zinxhir transmetuesish, me formulim të ngjashëm. Ky hadith gjendet në dy Sahihët, nëpërmjet Sufjan eth-Theuriut, nga Mensuri, nga Ibrahimi, nga Abdurrahmani, prej tij. Gjendet po ashtu në dy Sahihët, nëpërmjet Abdurrahmanit, nga Alkameja, nga Ebu Mes‘udi. Abdurrahmani ka thënë: Më pas takova Ebu Mes‘udin dhe ai ma tregoi këtë hadith.
Kështu e transmetoi edhe Ahmedi ibn Hanbeli: Na ka treguar Jahja ibn Ademi, na ka treguar Sheriku, nga Asimi, nga el-Musejjib ibn Rafi‘i, nga Alkameja, nga Ebu Mes‘udi, nga Profeti ﷺ, se ka thënë: “Kush i lexon natën dy ajetet e fundit të sures El-Bekare, ato i mjaftojnë.”
Hadithi i dytë: Imam Ahmedi ka thënë: Na ka treguar Husejni, na ka treguar Shejbani, nga Mensuri, nga Rib‘iu, nga Harshe ibn el-Hurri, nga el-Ma‘ruri ibn Suvejdi, nga Ebu Dherri, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “M’u dhanë ajetet përmbyllëse të sures El-Bekare nga një thesar nën Arsh; ato nuk i janë dhënë asnjë profeti para meje.” Ibn Merduejhi e ka transmetuar gjithashtu, nëpërmjet el-Eshxhe‘iut, nga eth-Theuriu, nga Mensuri, nga Rib‘iu, nga Zejd ibn Dhubjani, nga Ebu Dherri, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “M’u dhanë ajetet përmbyllëse të sures El-Bekare nga një thesar nën Arsh.”
Hadithi i tretë: Muslimi ka thënë: Na ka treguar Ebu Bekr ibn Ebi Shejbe, na ka treguar Ebu Usame, na ka treguar Malik ibn Meguli. (H) Dhe na kanë treguar Ibn Numajri dhe Zuhejr ibn Harbi, të dy nga Abdullah ibn Numajri; formulimet e tyre janë të ngjashme. Ibn Numajri ka thënë: Na ka treguar babai im, na ka treguar Malik ibn Meguli, nga ez-Zubejr ibn Adijji, nga Talhaja, nga Murra, nga Abdullahu, se kur Profeti ﷺ u dërgua natën [në udhëtimin qiellor], atë e çuan te Sidretul-Muntehaja, e cila është në qiellin e gjashtë.
Aty përfundon ajo që ngjitet nga toka dhe merret prej saj, dhe aty përfundon ajo që zbret nga lart saj dhe merret prej saj. Ai tha: “Kur Sidrën e mbuloi ajo që e mbuloi” (En-Nexhm, 16) — dhe tha: “Ishin flutura prej ari.” Profetit ﷺ iu dhanë tri gjëra: iu dhanë pesë namazet, iu dhanë ajetet përmbyllëse të sures El-Bekare dhe iu falën mëkatet e rënda atij që nuk i shoqëron Allahut asgjë nga umeti i tij.
Hadithi i katërt: Ahmedi ka thënë: Na ka treguar Is’hak ibn Ibrahim er-Raziu, na ka treguar Seleme ibn el-Fadli, më ka treguar Muhammed ibn Is’haku, nga Jezid ibn Ebi Habibi, nga Mirthid ibn Abdullah el-Jezniu, nga Ukbe ibn Amiri el-Xhuheniu, se i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Lexoji dy ajetet e fundit të sures El-Bekare, sepse ato m’u dhanë nga poshtë Arshit.” Ky është një zinxhir i mirë transmetimi, por ata nuk e kanë përfshirë në librat e tyre.
Hadithi i pestë: Ibn Merduejhi ka thënë: Na ka treguar Ahmedi ibn Kamil, na ka treguar Ibrahimi ibn Is’hak el-Harbi, na ka njoftuar Musedded, na ka njoftuar Ebu Avane, nga Ebu Maliku, nga Rib‘iu, nga Hudhejfeja, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Na u dha epërsi ndaj njerëzve me tri gjëra: këto ajete të fundit të sures El-Bekare m’u dhanë nga një shtëpi thesari nën Arsh; ato nuk i janë dhënë askujt para meje dhe nuk do t’i jepen askujt pas meje.” Pastaj ai e transmetoi të njëjtin hadith nëpërmjet Nu‘ajm ibn Ebi Hindit, nga Rib‘iu, nga Hudhejfeja.
Hadithi i gjashtë: Ibn Merduejhi ka thënë: Na ka treguar Abdul-Baki ibn Nafi‘i, na ka njoftuar Ismail ibn el-Fadli, na ka njoftuar Muhammed ibn Hatim ibn Bazi‘, na ka njoftuar Xha‘fer ibn Avni, nga Malik ibn Meguli, nga Ebu Is’haku, nga el-Harith, nga Aliu, i cili ka thënë: “Nuk mendoj se dikush që e ka kuptuar Islamin duhet të flejë pa i lexuar ajetet përmbyllëse të sures El-Bekare, sepse ato janë thesar që Profetit tuaj ﷺ iu dha nga poshtë Arshit.”
Veki‘u e transmetoi nëpërmjet Israilit, nga Ebu Is’haku, nga Umejr ibn Amr el-Harifi, nga Aliu, i cili ka thënë: “Nuk mendoj se dikush që kupton, të cilit i ka mbërritur Islami, duhet të flejë pa lexuar Ajetul-Kursijjin dhe ajetet përmbyllëse të sures El-Bekare, sepse ato janë nga një thesar nën Arsh.”
Hadithi i shtatë: Ebu Isa et-Tirmidhiu ka thënë: Na ka treguar Bendari, na ka treguar Abdurrahman ibn Mehdiu, na ka treguar Hammad ibn Seleme, nga Esh‘ath ibn Abdurrahman el-Xhermi, nga Ebu Kilabe, nga Ebu Esh‘ath es-San‘ani, nga en-Nu‘man ibn Beshiri, nga Profeti ﷺ, se ka thënë: “Allahu shkroi një libër dy mijë vjet para se të krijonte qiejt dhe tokën. Prej tij zbriti dy ajete, me të cilat e përmbylli suren El-Bekare. Ato nuk lexohen në një shtëpi për tri net radhazi pa iu afruar asaj shejtani.” Pastaj tha: “Ky hadith është i rrallë.”
Kështu e transmetoi edhe el-Hakimi në el-Mustedrekun e tij, nëpërmjet Hammād ibn Selemes, dhe tha: “Zinxhiri i tij është i saktë sipas kushteve të Muslimit, por ata të dy nuk e kanë përfshirë.”
Hadithi i tetë: Ibn Merduejhi ka thënë: Na ka treguar Abdurrahman ibn Muhammed ibn Medini, na ka njoftuar el-Hasan ibn el-Xhehmi, na ka njoftuar Ismail ibn Amri, na ka njoftuar Ibn Ebi Merjemi, më ka treguar Jusuf ibn Ebi el-Haxhxhashi, nga Seidi, nga Ibn Abbasi, se kur i Dërguari i Allahut ﷺ lexonte ajetin e fundit të sures El-Bekare dhe Ajetul-Kursijjin, qeshte dhe thoshte: “Të dyja janë nga thesari i të Gjithëmëshirshmit nën Arsh.”
Kur lexonte: “Kush bën një të keqe, do të shpërblehet për të” (En-Nisa, 123), dhe: “Njeriu nuk do të ketë tjetër veçse atë për të cilën është përpjekur, dhe përpjekja e tij do të shihet; pastaj do të shpërblehet me shpërblimin më të plotë” (En-Nexhm, 39–41), ai thoshte: “Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi”, dhe përulej [me përulësi e frikë].
Hadithi i nëntë: Ibn Merduejhi ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Muhammed ibn Kufi, na ka treguar Ahmedi ibn Jahja ibn Hamza, na ka treguar Muhammed ibn Bekri, na ka treguar Mekki ibn Ibrahimi, na ka treguar Abdullah ibn Ebi Humejdi, nga Ebu Mulejhi, nga Ma‘kil ibn Jesari, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “M’u dhanë Fatihatul-Kitabi dhe ajetet përmbyllëse të sures El-Bekare nga poshtë Arshit, kurse suret e shkurtra pas El-Fatihasë [el-Mufassal] m’u dhanë si shtesë.”
Hadithi i dhjetë: Më herët, në kapitullin mbi virtytin e sures El-Fatiha, është përmendur transmetimi i Abdullah ibn Isës ibn Abdurrahman ibn Ebi Lejlës, nga Seid ibn Xhubejri, nga Ibn Abbasi, i cili tha: Ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte me Xhibrilin, dëgjoi një zhurmë kërcitëse sipër tij. Xhibrili e ngriti shikimin nga qielli dhe tha: “Kjo është një portë që u hap në qiell, e cila nuk ishte hapur kurrë më parë.”
Pastaj prej saj zbriti një engjëll, erdhi te Profeti ﷺ dhe i tha: “Përgëzohu me dy drita që të janë dhënë, të cilat nuk i janë dhënë asnjë profeti para teje: Fatihatul-Kitabi dhe ajetet përmbyllëse të sures El-Bekare. Nuk do të lexosh asnjë shkronjë prej tyre pa të dhënë [shpërblimin dhe përgjigjen e premtuar].” Këtë e kanë transmetuar Muslimi dhe en-Nesaiu; ky është formulimi i en-Nesaiut.
Fjala e të Lartësuarit: “I Dërguari beson në atë që i është shpallur nga Zoti i tij” (El-Bekare, 285), është njoftim se kështu beson Profeti ﷺ. Ibn Xheriri ka thënë: Na ka treguar Beshri, na ka treguar Jezidi, na ka treguar Seidi, nga Katadeja, i cili ka thënë: Na është përmendur se, kur zbriti ky ajet, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Dhe është e drejtë që ai të besojë.”
El-Hakimi ka transmetuar në el-Mustedrekun e tij: Na ka treguar Ebu en-Nadri, fakihu, na ka treguar Mu‘adh ibn Nexhde el-Kureshi, na ka treguar Hallad ibn Jahja, na ka treguar Ebu Ukajl, nga Jahja ibn Ebi Kethiri, nga Enes ibn Maliku, i cili ka thënë: Kur ky ajet iu shpall Profetit ﷺ: “I Dërguari beson në atë që i është shpallur nga Zoti i tij”, Profeti ﷺ tha: “Është e drejtë që ai të besojë.” Pastaj el-Hakimi tha: “Zinxhiri i tij është i saktë, por ata të dy nuk e kanë përfshirë.”
Fjala e Tij: “dhe besimtarët” është e lidhur me fjalën “I Dërguari”. Më pas Ai njoftoi për të gjithë: “Të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij. Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” Besimtarët besojnë se Allahu është Një, i Vetëm, i Pashoq, i Përhershëm dhe i Përjetshëm; nuk ka të adhuruar tjetër veç Tij dhe nuk ka Zot tjetër përveç Tij.
Ata i besojnë të gjithë profetët, të dërguarit dhe librat e zbritur nga qielli te robërit e Allahut, të dërguarit dhe profetët. Nuk bëjnë dallim mes asnjërit prej tyre duke besuar në disa e duke mos besuar në të tjerë. Përkundrazi, sipas tyre, të gjithë janë të sinqertë, të drejtë, të udhëzuar dhe udhëzues në rrugët e së mirës, edhe nëse disa prej tyre e zëvendësuan legjislacionin e të tjerëve me lejen e Allahut; derisa të gjitha ato u zëvendësuan me legjislacionin e Muhammedit ﷺ, vulës së profetëve dhe të dërguarve.
Ora e Fundit do të ndodhë ndërsa legjislacioni i tij është në fuqi, dhe një grup nga umeti i tij do të vazhdojë të jetë i dukshëm në të vërtetën.
Fjala e Tij: “Dhe thanë: ‘Dëgjuam dhe u bindëm’”, do të thotë: Dëgjuam fjalën Tënde, o Zoti ynë, e kuptuam dhe e zbatuam, duke vepruar sipas kërkesave të saj. “Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti ynë” është kërkesë për falje, mëshirë dhe mirësi. Ibn Ebi Hatimi ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Harb el-Mawsili, na ka treguar Ibn Fudejli, nga Ata ibn es-Saibi, nga Seid ibn Xhubejri, nga Ibn Abbasi, lidhur me fjalën e Allahut: “I Dërguari beson në atë që i është shpallur nga Zoti i tij dhe besimtarët”, deri te fjala: “Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti ynë”, se Allahu ka thënë: “Jua kam falur.”
“Dhe tek Ti do të kthehemi”, domethënë: te Ti është kthimi dhe vendi i fundit në Ditën kur do të ngrihet llogaria.
Ibn Xheriri ka thënë: Na ka treguar Ibn Humejdi, na ka treguar Xheriri, nga Bejani, nga Hakimi, nga Xhabiri, i cili ka thënë: Kur iu shpall të Dërguarit të Allahut ﷺ: “I Dërguari beson në atë që i është shpallur nga Zoti i tij dhe besimtarët. Të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij. Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij. Dhe thanë: ‘Dëgjuam dhe u bindëm.
Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti ynë, dhe tek Ti do të kthehemi’”, Xhibrili tha: “Allahu e ka lavdëruar bukur ty dhe umetin tënd, prandaj kërko dhe do të të jepet.” Atëherë ai kërkoi: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka”, deri në fund të ajetit. En-Nexhm, 16; En-Nisa, 123; En-Nexhm, 39–41.
Hadithi i njëmbëdhjetë: Ebu Muhammed Abdullah ibn Abdurrahman ed-Darimi ka thënë në Musnedin e tij: Na ka treguar Ebu el-Mugire, na ka treguar Safvani, na ka treguar Ejfe‘ ibn Abdullah el-Kela‘i, se një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, cili ajet në Librin e Allahut është më madhështori?” Ai tha: “Ajetul-Kursijji: ‘Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit…’” Ai pyeti: “Cilin ajet në Librin e Allahut do të doje të të jepej ty dhe umetit tënd?”
Ai tha: “Ajetet e fundit të sures El-Bekare, sepse nuk ka ndonjë të mirë të kësaj bote dhe të Ahiretit që të mos përfshihet në to.”
Fjala e Tij: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka” do të thotë se Ai nuk e ngarkon askënd përtej mundësisë së tij. Kjo është prej mirësisë së Tij ndaj krijesave, dhembshurisë dhe bamirësisë së Tij ndaj tyre. Ky ajet është shfuqizuesi që e hoqi atë nga e cila sahabët kishin frikë, në fjalën e Allahut: “Nëse e shfaqni atë që keni në vete ose e fshihni, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të” (El-Bekare, 284). Domethënë, edhe nëse Ai kërkon llogari dhe pyet, nuk ndëshkon veçse për atë që njeriu mund ta largojë.
Sa për atë që nuk mund ta largojë, si pëshpëritjet dhe mendimet e brendshme të shpirtit, për këtë njeriu nuk ngarkohet. Mospëlqimi i pëshpëritjeve të këqija është pjesë e besimit.
Fjala e Tij: “Në dobi të tij është e mira që bën” do të thotë: prej të mirave [që ka punuar]. “Kurse në dëm të tij është e keqja që punon” do të thotë: prej të këqijave [që ka punuar]. Kjo vlen për veprat që hyjnë nën përgjegjësinë fetare. Pastaj Allahu i Lartësuar i udhëzoi robërit e Tij që t’i luten Atij, pasi Ai u ka garantuar përgjigjen, ashtu siç i udhëzoi dhe u mësoi të thonë: “Zoti ynë, mos na ndëshko nëse…” — domethënë, nëse lëmë një detyrim nga harresa ose kryejmë një vepër të ndaluar pa dashje — “ose veprojmë pa qëllim”, domethënë, nëse gabojmë në veprim pa e ditur mënyrën e tij fetare të saktë.
Më herët është përmendur në Sahihun e Muslimit hadithi i Ebu Hurejrës: “Allahu tha: ‘Po.’” Ndërsa në hadithin e Ibn Abbasit thuhet: “Allahu tha: ‘E bëra.’” Ibn Maxhe transmetoi në Sunenin e tij, dhe Ibn Hibbani në Sahihun e tij, nga hadithi i Ebu Amr el-Evza‘iut, nga Ata. Në transmetimin e Ibn Maxhes thuhet: nga Ibn Abbasi; ndërsa et-Taberaniu dhe Ibn Hibbani e transmetojnë nga Ata, nga Ubejd ibn Umejri, nga Ibn Abbasi, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu ia ka hequr umetit tim përgjegjësinë për gabimin, harresën dhe atë për të cilën janë detyruar.”
Ky hadith është transmetuar edhe në rrugë të tjera, por Ahmedi dhe Ebu Hatimi e kanë konsideruar të dobët; Allahu e di më së miri. Ibn Ebi Hatimi ka thënë: Na ka treguar babai im, na ka treguar Muslim ibn Ibrahimi, na ka treguar Ebu Bekr el-Hudheli, nga Shehri, nga Umm ed-Derda’, nga Profeti ﷺ, i cili ka thënë: “Allahu ia ka falur umetit tim tri gjëra: gabimin, harresën dhe atë për të cilën janë detyruar.” Ebu Bekri tha: Ia përmenda këtë el-Hasanit, e ai tha: “Po. A nuk e lexon këtë në Kuran: ‘Zoti ynë, mos na ndëshko nëse harrojmë ose gabojmë’?”
Fjala e Tij: “Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh”, do të thotë: Mos na obligo me vepra të rënda, edhe nëse do të kishim mundësi t’i përballonim, ashtu siç ua ligjësove popujve të mëparshëm prangat dhe barrët e rënda që kishin mbi vete. Ti e dërgove Profetin Tënd, Muhammedin ﷺ, profetin e mëshirës, për t’i hequr këto nëpërmjet legjislacionit me të cilin e dërgove: fesë së pastër, të lehtë e tolerante. Në Sahihun e Muslimit është vërtetuar, nga Ebu Hurejra, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu tha: ‘Po.’”
Kurse në transmetimin e Ibn Abbasit, nga i Dërguari i Allahut ﷺ, thuhet: “Allahu tha: ‘E bëra.’” Në disa rrugë transmetimi është përcjellë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam dërguar me fenë e pastër e tolerante.”
Fjala e Tij: “Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim”, do të thotë: Mos na sprovo me detyrime, fatkeqësi e mundime që nuk kemi fuqi t’i përballojmë. Mekhuli ka thënë për fjalën: “Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim”: “Mërgimi dhe epshi i fortë.” Këtë e transmetoi Ibn Ebi Hatimi. “Allahu tha: ‘Po.’” Në hadithin tjetër thuhet: “Allahu tha: ‘E bëra.’”
Fjala e Tij: “Na i shlyej gjynahet tona” do të thotë: në atë që është mes Nesh dhe Teje, prej mangësive dhe gabimeve tona që Ti i di. “Na i fal ato” do të thotë: për atë që është mes nesh dhe robërve të Tu; mos ua zbulo mangësitë dhe veprat tona të shëmtuara. “Dhe na mëshiro” do të thotë: në të ardhmen, që me udhëzimin Tënd të mos na lësh të biem në një mëkat tjetër. Prandaj kanë thënë se mëkatari ka nevojë për tri gjëra: Allahu ta falë atë që është mes tij dhe Allahut; ta mbulojë para robërve të Tij, që të mos e turpërojë mes tyre; dhe ta ruajë, që të mos e bëjë sërish një mëkat të ngjashëm.
Më herët është përmendur hadithi ku Allahu tha: “Po.” Në një transmetim tjetër thuhet: “Allahu tha: ‘E bëra.’”
Fjala e Tij: “Ti je Zoti ynë” do të thotë: Ti je Mbrojtësi dhe Ndihmësi ynë. Tek Ti jemi mbështetur; Ti je Ai prej të Cilit kërkohet ndihmë dhe tek Ti mbështetemi. Nuk ka fuqi e as forcë për ne veçse nëpërmjet Teje. “Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë”, domethënë, atyre që mohuan fenë Tënde, e përgënjeshtruan Njëshmërinë Tënde dhe mesazhin e Profetit Tënd, adhuruan dikë tjetër veç Teje dhe të shoqëruan krijesa të Tua.
Na jep fitore kundër tyre dhe bëje përfundimin tonë të mirë mbi ta në këtë botë dhe në Ahiret. Allahu tha: “Po.” Në hadithin e transmetuar nga Muslimi, nga Ibn Abbasi, thuhet: “Allahu tha: ‘E bëra.’” Ibn Xheriri ka thënë: Më ka treguar el-Muthenna ibn Ibrahimi, na ka treguar Ebu Nu‘ajmi, na ka treguar Sufjani, nga Ebu Is’haku, se Muadhi, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur e përfundonte këtë sure me fjalët: “Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë”, thoshte: “Amin.”
Veki‘u e transmetoi nga Sufjani, nga Ebu Is’haku, nga një burrë, nga Muadh ibn Xhebeli, se kur e përfundonte suren El-Bekare, thoshte: “Amin.” Harresa.
Tefsiri i El-Begaviut
Fjala e të Lartësuarit: “I Dërguari beson” do të thotë: e vërteton “atë që i është shpallur nga Zoti i tij, dhe besimtarët. Të gjithë besojnë në Allahun”, domethënë, secili prej tyre; për këtë arsye folja është në njëjës. “Në engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij.” Hamzaja dhe el-Kisa’iu e lexojnë në njëjës “librin e Tij”, domethënë Kuranin.
Është thënë se nënkuptohet shumësia, edhe pse është përmendur në trajtën e njëjësit, si në fjalën e të Lartësuarit: “Allahu dërgoi profetët si përgëzues dhe paralajmërues dhe bashkë me ta zbriti Librin” (El-Bekare, 213). Të tjerët e lexojnë në shumës: “librat e Tij”, si në fjalën e të Lartësuarit: “engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij” (En-Nisa, 136).
“Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”, pra, nuk besojmë në disa e mohojmë të tjerë, siç bënë hebrenjtë dhe të krishterët. Në këtë fjali ka një fjalë të nënkuptuar, pra: ata thonë: “Ne nuk bëjmë dallim.” Ja‘kubi e lexon foljen me “j” — “nuk bën dallim” — kështu që fjalia është njoftim për të Dërguarin, ose kuptimi është se të gjithë nuk bëjnë dallim. Ai tha “mes ndonjërit” dhe jo “mes ndonjërit prej tyre”, sepse forma “ahad” përdoret si për njëjësin, ashtu edhe për shumësin.
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe askush prej jush nuk do të mund ta pengojë atë” (El-Hakka, 47).
“Dhe thanë: ‘Dëgjuam’” fjalën Tënde; “dhe u bindëm” urdhrit Tënd. Është transmetuar nga Hakimi, nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, se kur zbriti ky ajet, Xhibrili ﷺ i tha Profetit ﷺ: “Allahu të ka lavdëruar ty dhe umetin tënd, prandaj kërko dhe do të të jepet.” Atëherë, me udhëzimin e Allahut të Lartësuar, ai kërkoi. “Faljen Tënde” është në rasën kallëzore si masdar, pra: “Na fal me faljen Tënde” ose “Të kërkojmë faljen Tënde”, “o Zoti ynë, dhe tek Ti do të kthehemi.”
“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka.” Kuptimi i dukshëm i ajetit është përmbushja e nevojës; brenda tij nënkuptohet lutja, sikur të kenë thënë: “Mos na ngarko përveçse me atë që kemi mundësi ta përballojmë.” Dhe përgjigjja ishte: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka”, domethënë, përtej mundësisë së tij. “Vus‘” është emër për atë që njeriu mund ta përballojë pa vështirësi.
Dijetarët kanë mendime të ndryshme për interpretimin e tij. Ibn Abbasi, Ata dhe shumica e komentuesve thanë se me këtë nënkuptohet mendimi i brendshëm, i përmendur në fjalën e të Lartësuarit: “Nëse e shfaqni atë që keni në vete ose e fshihni…” — siç e kemi përmendur.
Është transmetuar nga Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Këtu bëhet fjalë posaçërisht për besimtarët: çështjet e fesë ua bëri të lehta dhe nuk i ngarkoi veçse me atë që mund ta përballojnë”, siç thotë Allahu: “Allahu dëshiron për ju lehtësi e jo vështirësi” (El-Bekare, 185), dhe Allahu thotë: “Ai nuk ju ka vënë asnjë vështirësi në fe” (El-Haxhxh, 78).
Sufjan ibn Ujejne u pyet për fjalën e të Madhëruarit: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka”, dhe tha: “Përveçse me atë që është e lehtë për të; Ai nuk e ka ngarkuar përtej fuqisë së tij.” Ky është një interpretim i mirë, sepse “vus‘” është ajo që është nën kufirin e fuqisë.
Fjala e të Lartësuarit: “Në dobi të tij është e mira që bën” do të thotë: shpirti përfiton nga veprat e mira, shpërblimi dhe sevapi i tyre. “Kurse në dëm të tij është e keqja që punon” do të thotë: nga të këqijat; barra e tyre është mbi të.
“Zoti ynë, mos na ndëshko” domethënë: mos na dëno “nëse harrojmë”. Disa thanë se kjo i referohet harresës që është pakujdesi. El-Kelbi ka thënë: Beni Israilët, nëse harronin diçka nga ajo që u ishte urdhëruar ose gabonin, ndëshkoheshin menjëherë: u ndalohej një ushqim a pije, në përpjesëtim me atë mëkat. Prandaj Allahu i urdhëroi besimtarët t’i kërkonin që të mos i ndëshkonte për këtë.
Është thënë se fjala “harrojmë” nënkupton braktisjen, si në fjalën e të Lartësuarit: “Ata e harruan Allahun, prandaj edhe Ai i harroi” (Et-Teube, 67).
Fjala e të Lartësuarit: “ose gabojmë” është interpretuar si qëllim dhe veprim i vetëdijshëm. Thuhet: “Filani gaboi” edhe kur veproi me qëllim. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, vrasja e tyre është një gabim i madh” (El-Isra, 31). Ata’ ka thënë: “Nëse harrojmë ose gabojmë” do të thotë: nëse nuk dimë ose veprojmë me qëllim.
Shumica e komentuesve e kanë kuptuar si gabim që vjen nga padija dhe pakujdesia, sepse mëkati i qëllimshëm nuk është i falur, por mbetet nën vullnetin e Allahut; ndërsa gabimi është i falur. Profeti ﷺ ka thënë: “Umeti im është liruar nga përgjegjësia për gabimin, harresën dhe atë për të cilën është detyruar.”
Fjala e të Lartësuarit: “Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë” do të thotë: një zotim të rëndë dhe besëlidhje që nuk kemi mundësi ta përmbushim, që të mos na ndëshkosh për shkeljen dhe lënien e tyre, “ashtu si i ngarkove ata para nesh”, domethënë hebrenjtë, të cilët nuk e mbajtën dhe Ti i ndëshkove. Ky është mendimi i Muxhahidit, Ata’ut, Katades, es-Seddiut, el-Kelbiut dhe një grupi dijetarësh. Këtë e dëshmon fjala e të Lartësuarit: “Dhe ju morët zotimin Tim” (Ali Imran, 81), domethënë: besëlidhjen Time.
Është thënë se kuptimi është: “Mos na i vështirëso dhe mos na e rëndo çështjen, siç ua rëndove atyre para nesh, hebrenjve.” Allahu u kishte bërë detyrim pesëdhjetë namaze, u kishte urdhëruar të jepnin një të katërtën e pasurisë së tyre si zekat; nëse rroba e dikujt ndotej, ai duhej ta priste pjesën e ndotur; kur dikush bënte një mëkat, atë mëngjes mëkati i tij shkruhej në derën e tij, e të tjera ngarkesa dhe pranga të ngjashme. Ky është kuptimi i fjalës së Uthmanit, Ata’ut, Malik ibn Enesit, Ebu Ubejde dhe një grupi dijetarësh.
Këtë e dëshmon fjala e të Lartësuarit: “Ai ua heq barrët e tyre dhe prangat që i kishin” (El-A‘raf, 157). Është thënë gjithashtu se “isr” është një mëkat për të cilin nuk ka pendim; kuptimi është: “Na ruaj që të mos biem në diçka të ngjashme.” Kuptimi themelor i fjalës është lidhje dhe shtrëngim.
Fjala e të Lartësuarit: “Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim” do të thotë: mos na obligo me vepra që nuk mund t’i përballojmë. Është thënë se ajo është mendimi i brendshëm dhe pëshpëritja. Nga Mekhuli është transmetuar se ka thënë: “Është epshi i fortë.” Iu tha: “Epshi i fortë është dëshira e madhe.”
Nga Ibrahimi është transmetuar se ka thënë: “Është dashuria.” Nga Muhammed ibn Abdul-Vehhabi është transmetuar se ka thënë: “Është dashuria e zjarrtë.” Ibn Xhurejxhi ka thënë: “Është shndërrimi në majmunë dhe derra.” Është thënë gjithashtu: “Është gëzimi i armiqve për fatkeqësinë tonë”, dhe: “Është ndarja dhe ndërprerja e lidhjeve.” Kërkojmë mbrojtjen e Allahut prej tyre.
Fjala e Tij: “Na i shlyej gjynahet tona” do të thotë: kaloji dhe fshiji mëkatet tona. “Na i fal ato” do të thotë: mbuloji mëkatet tona dhe mos na turpëro. “Dhe na mëshiro”, sepse ne nuk mund të bëjmë vepra veçse me bindjen Tënde dhe nuk mund të largohemi nga mosbindja veçse me mëshirën Tënde. “Ti je Zoti ynë” do të thotë: Ndihmuesi, Ruajtësi dhe Mbrojtësi ynë. “Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë.”
Seid ibn Xhubejri transmeton nga Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, lidhur me fjalën e të Madhëruarit: “Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti ynë”, se Allahu i Lartësuar ka thënë: “Jua kam falur.” Për fjalët “Mos na ndëshko nëse harrojmë ose gabojmë”, tha: “Nuk do t’ju ndëshkoj.” Për fjalët “Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë”, tha: “Nuk do t’ju ngarkoj barrë të rëndë.” Për fjalët “Mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim”, tha: “Nuk do t’ju ngarkoj.”
Për “Na i shlyej gjynahet tona”, deri në fund, tha: “Jua kam shlyer, ju kam falur, ju kam mëshiruar dhe ju kam dhënë fitore kundër atyre që nuk besojnë.” Kur Muadhi ibn Xhebeli e përfundonte suren El-Bekare, thoshte: “Amin.”
Na ka njoftuar Ismail ibn Abdul-Kahiri; na ka njoftuar Abdul-Gafir ibn Muhammed; na ka njoftuar Muhammed ibn Isa el-Xheludi; na ka njoftuar Ibrahimi ibn Muhammed ibn Sufjani; na ka treguar Muslim ibn el-Haxhxhaxh; na ka treguar Ebu Bekr ibn Ebi Shejbe; na ka treguar Ebu Usame; më ka treguar Malik ibn Meguli, nga ez-Zubejr ibn Adijji, nga Talha ibn Ali ibn Musarrifi, nga Murra, nga Abdullahu, i cili tha: Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u dërgua natën, e çuan te Sidretul-Muntehaja, e cila është në qiellin e gjashtë.
Aty përfundon ajo që ngjitet nga toka dhe merret prej saj, dhe aty përfundon ajo që zbret nga lart saj dhe merret prej saj. Ai tha: “Kur Sidrën e mbuloi ajo që e mbuloi” (En-Nexhm, 16). Ai tha: “Ishin flutura prej ari.” Profetit ﷺ iu dhanë tri gjëra: pesë namazet, ajetet përmbyllëse të sures El-Bekare dhe falja e mëkateve të rënda për ata nga umeti i tij që nuk i shoqërojnë Allahut asgjë.” [Mëkatet e rënda që e çojnë njeriun në shkatërrim.]
Në «Sahih Muslim» (nr. 126) transmetohet nga Ibn Abbasi se një engjëll zbriti nga qielli dhe i tha Profetit: «Gëzohu me dy drita… Ato janë surja “El-Fatiha” dhe ajetet përmbyllëse të sures “El-Bekare”.»