Lutja e engjëjve për besimtarët
رَبَّنَا وَسِعْتَ كُلَّ شَيْءٍ رَحْمَةً، وَعِلْمًا، فَاغْفِرْ لِلَّذِينَ تَابُوا، وَاتَّبَعُوا سَبِيلَكَ، وَقِهِمْ عَذَابَ الْجَحِيمِ. رَبَّنَا وَأَدْخِلْهُمْ جَنَّاتِ عَدْنٍ الَّتِي، وَعَدْتَهُمْ، وَمَنْ صَلَحَ مِنْ آبَائِهِمْ، وَأَزْوَاجِهِمْ، وَذُرِّيَّاتِهِمْ، إِنَّكَ أَنْتَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ، وَقِهِمُ السَّيِّئَاتِ، وَمَنْ تَقِ السَّيِّئَاتِ يَوْمَئِذٍ، فَقَدْ رَحِمْتَهُ، وَذَٰلِكَ هُوَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ.
رَبَّنَا وَسِعْتَ كُلَّ شَيْءٍ رَحْمَةً وَعِلْمًا فَاغْفِرْ لِلَّذِينَ تَابُوا وَاتَّبَعُوا سَبِيلَكَ وَقِهِمْ عَذَابَ الْجَحِيمِ رَبَّنَا وَأَدْخِلْهُمْ جَنَّاتِ عَدْنٍ الَّتِي وَعَدْتَهُمْ وَمَنْ صَلَحَ مِنْ آبَائِهِمْ وَأَزْوَاجِهِمْ وَذُرِّيَّاتِهِمْ إِنَّكَ أَنْتَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ وَقِهِمُ السَّيِّئَاتِ وَمَنْ تَقِ السَّيِّئَاتِ يَوْمَئِذٍ فَقَدْ رَحِمْتَهُ وَذَٰلِكَ هُوَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ
Ngarkimi i audios dështoi. Provo përsëri më vonë.
Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues! O Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të devotshmit prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre! Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti. Dhe shpëtoji ata nga e keqja! Atë që Ti e shpëton nga e keqja atë Ditë, Ti e ke mëshiruar; e ky, me të vërtetë, është shpëtimi i madh!”
Forma: Ndërmjetësimi i engjëjve më të lartë (حَمَلَةُ الْعَرْشِ) për besimtarët në tokë, me përdorimin e lutjeve «falua» (اغْفِرْ), «ruajini» (قِهِمْ) dhe «futini» (أَدْخِلْهُمْ).
Tefsiri i shejh Abdurrahman Es-Sa’diut
Allahu i Madhëruar na tregon për butësinë dhe mirësinë e madhe të Tij ndaj adhuruesve besimtarë. Ai përkujdeset që t’u lehtësojë atyre çdo rrugë që i çon ata drejt lumturisë, rrugë që, në fakt, janë tërësisht jashtë mundësive e aftësive të tyre për t’i arritur vetë. Prej kujdesit të Tij janë edhe lutjet e melekëve për robërit në tokë. Ata luten që Allahu të rregullojë fenë dhe ahiretin e tyre.
Këtu shfaqet, ndër të tjera, edhe grada e lartë e mbajtësve të Fronit madhështor dhe e melekëve që qëndrojnë rreth e rrotull tij, si dhe për afërsinë e tyre me Zotin. Ata shquhen për adhurimet e shumta që i përkushtojnë të Madhëruarit, si dhe për kujdesin dhe dëshirën e mirë që kanë kundrejt adhuruesve të Zotit. Ata i duan dhe luten për besimtarët, sepse e dinë shumë mirë se Zoti kënaqet dhe e dëshiron një gjë të tillë prej tyre.
I Madhëruari thotë: Ata që mbajnë Fronin (e Allahut) ... - Domethënë, ata që mbajnë Fronin e Rahmanit, i cili është çatia e të gjithë krijesave, krijimi më i madh, më i gjerë, më i bukur dhe më afër Allahut të Lartësuar. Froni i Allahut përfshin qiejt, Tokën dhe Kursijin. Këta melekë të fuqishëm janë ngarkuar për të mbajtur Fronin e Allahu të Madhëruar. Nuk ka dyshim se ata janë ndër melekët më të mëdhenj dhe më të fuqishëm që Zoti ka krijuar, prandaj dhe Ai i ka përzgjedhur për të mbajtur Fronin e Tij.
Fakti që Allahu i Madhëruar i përmend ata përpara melekëve që janë rreth Fronit, si edhe afërsia e tyre me Allahun, tregojnë se ata janë lloji më i zgjedhur i melekëve (paqja e Zotit qoftë mbi ta!). Ditën e Gjykimit, Fronin e Allahut do ta bartin tetë melekë, siç thotë i Madhëruari: “Qielli do të çahet dhe atë ditë është i rrënuar, ndërsa melekët do të qëndrojnë në skajet e tij. Atë ditë, Arshin e Zotit tënd e bartin mbi vete tetë prej tyre.”
[Hakka 16, 17]. ...dhe ata që janë përreth tij e lartësojnë me lavde (dhe e madhërojnë) Zotin e tyre, - Rreth e rrotull Fronit janë rreshtuar melekë të afërt, të zgjedhur dhe me prestigj të lartë te Zoti. Allahu i Madhëruar i lëvdon këta melekë duke përmendur adhurimin e tyre të shumtë përkushtuar Atij, e në mënyrë të veçantë tesbih -ët e tahmid -ët e tyre. Të gjitha adhurimet bëhen për t’i thurur Zotit tesbih dhe tahmid , pra, për ta lavdëruar dhe madhëruar Zotin, për ta lartësuar Atë nga çdo e metë që trillojnë të paditurit.
Tesbih -u dhe tahmid -i tregojnë se robi nuk ia përkushton adhurimet askujt tjetër veç Zotit, sepse vetëm Ai është i Pastër nga çdo e metë dhe i Pashoq në meritën e adhurimit. Tesbih -u dhe tahmid -i për Zotin janë vetë adhurimi, ndërsa shprehjet “Subhanallah” dhe “Elhamdulilah” , që thotë robi, janë një mënyrë e lloj prej llojeve të adhurimit. ... i besojnë Atij dhe kërkojnë falje për besimtarët... - Kjo është nga mirësitë e shumta dhe të mëdha që sjell imani i drejtë në Allahun. Pra, edhe melekët, që janë të pastër dhe të ruajtur nga gjynahet, kërkojnë falje për besimtarët.
Duke qenë se falja e Zotit është e lidhur ngushtë me çështje të tjera shumë të rëndësishme dhe dikush mund të mendojë se melekët luten thjesht që t’u falen gjynahet besimtarëve, Allahu i Madhëruar e sqaron më tej duanë e tyre, duke na treguar se ata luten jo vetëm për faljen e gjynaheve, por edhe për çështje të tjera, që kanë lidhje të ngushtë me faljen e gjynaheve. Ata luten edhe për shpëtim prej përfundimit të keq që sjellin gjynahet dhe prej gjurmëve të këqija që ato lënë në jetën e njeriut.
Ndër të tjera, ata thonë: Zoti ynë, Ti, me Mëshirën dhe me Diturinë Tënde përfshin gjithçka. - Kuptimi: Dituria Jote ka përfshirë gjithçka. Ty nuk të fshihet asgjë, e dukshme apo e fshehtë qoftë ajo. Diturisë Tënde nuk mund t’i shpëtojë asgjë, as sa një grimcë, më e vogël apo më e madhe qoftë, në tokë dhe në qiell. Mëshira Jote, gjithashtu, ka përfshirë gjithçka.
Gjithësia, ajo e sipërmja dhe e poshtmja, është e mbushur me mëshirën Tënde. Ajo ka përfshirë çdo gjë që Ti ke krijuar. Melekët e lusin Allahun me këto cilësi dhe atribute të Tij, që Ai t’i falë robërit që pendohen nga idhujtaria, mohimi, gjynahet dhe mosbindja. Ata luten që besimtarët të pendohen e të largohen nga ato gjëra që sjellin ndëshkimin.
Gjithashtu, ata thonë: Prandaj fali ata që pendohen dhe ndjekin rrugën Tënde ... - Kuptimi: Fali ata që pendohen nga shirku e poshtërsitë dhe ndjekin rrugën Tënde, duke pasuar profetët e Tu dhe duke të njësuar në adhurim e në bindje. Pastaj luten për besimtarët, që të kryejnë ato punë që sjellin faljen e mëshirën e Allahut, duke thënë: ... dhe ruaji ata nga dënimi i Zjarrit Flakërues! - Ata luten për ruajtjen e tyre nga ndëshkimi e nga rrugët që të çojnë në ndëshkim.
[1] Kështu, lutja e tyre nuk është thjesht për falje gjynahesh, por edhe për ato gjëra që e mundësojnë një gjë të tillë dhe që janë të lidhura ngushtë me faljen e gjynaheve, si: pendimi nga veprat e ndëshkueshme, kryerja e veprave të shpërblyeshme, që sjellin mëshirën e Zotit, si dhe shpëtimin nga rrugët e humbjes, që të çojnë në ndëshkim dhe e bëjnë atë të meritueshëm. Pastaj luten e thonë: 1 Në lidhje me të këqijat nga të cilat ruhemi dhe kërkojmë mbrojtje, imam Ibn Kajjimi thotë: “Të këqijat që e godasin robin janë dy llojesh.
Njëri lloj janë gjynahet e vepruara prej tij, për të cilat meriton ndëshkim prej Allahut të Lartësuar. Këto të këqija që i kanosen njeriut janë fryt i veprave të tij, të bëra me vullnetin e tij. Këto janë pasojat e gjynaheve, rreziku më i madh, më i frikshëm dhe më i vazhdueshëm që i kanoset njeriut. Ndërsa lloji i dytë i të këqijave që i kanosen njeriut, janë ato që i vijnë nga të tjerët, jo nga vetja.
Të tjerët janë ose të përgjegjshëm ligjërisht te Zoti, ose jo të përgjegjshëm. Të përgjegjshmit janë ose njerëz ose xhindë. Të papërgjegjshmit janë akrepat, gjarpërinjtë e kafshë të tjera të rrezikshme dhe vdekjeprurëse”. Më pas, imam Ibn Kajjimi vazhdon e thotë: “E keqja nënkupton dy gjëra: së pari, dhimbje e vuajtje, së dyti, çdo gjë që i shkakton këto gjëra.
E keqja vërtitet mes këtyre të dyjave dhe nuk ka kuptim të tretë. Të këqijat janë dhimbjet dhe shkaqet e tyre. Me këtë kuptim, themi se gjynahet, mosbindja ndaj Zotit dhe profetit, kufri, idhujtaria dhe të gjitha llojet e padrejtësive konsiderohen, pa dyshim, të këqija, nga të cilat duhet të ruhesh e të kërkosh mbrojtje. Edhe pse në ndonjë aspekt dhe rast të caktuar në këto të këqija mund të ketë ndonjë dobi për njerëzit apo kënaqësi të kufizuar, ato gjithsesi mbeten të këqija.
Janë të këqija, sepse ato shkaktojnë dhimbje, vuajtje e dëshpërim për këdo që i vepron ato, ashtu sikurse çdo shkak sjell pasojën e vet. Ato sjellin në mënyrë të pashmangshme dhimbje dhe dëshpërim, ashtu sikurse helmi sjell vdekjen, apo zjarri djegien, apo uji mbytjen, apo varja në litar vdekjen, etj. Ky rregull është i pandryshueshëm, përveç rasteve kur ekziston ndonjë pengesë apo shkak tjetër më i fortë, që e ndalon pasojën e shkakut të parë. Kështu, për shembull, pasojat që duhet të sjellin gjynahet nuk godasin nëse forca e besimit dhe veprat e mira të robit janë më të mëdha si shkak.
Kështu, shkaku më i fortë e largon pasojën që sjell shkaku tjetër, që është më i dobët. Në të njëjtën mënyrë funksionojnë të gjitha shkaqet dhe pasojat, edhe në aspekte të tjera, si në shëndet dhe sëmundje, në dobësi dhe fuqi etj. Qëllimi këtu është që të tregojmë se këto të këqija, të cilat sjellin njëfarë kënaqësie të përkohshme, edhe pse duket sikur përmbajnë ndonjë lloj “dobie” të themi, ato mbeten të këqija, prej të cilave duhet të luftosh që të ruhesh dhe të shpëtosh. Ato i përngjajnë atij ushqimi të shijshëm, që, në fakt, është i helmuar dhe sjell vdekjen.
Ato i lënë gjurmët e tyre të dhimbshme, qoftë edhe me vonesë. Një fakt të tillë e vërteton vetë realiteti i jetuar, edhe nëse feja nuk do të na e kishte mësuar atë. Subhanallah! A ka ndonjë mirësi të humbur, për largimin e së cilës të mos jetë bërë shkak mosbindja ndaj Zotit?!
Çdo humbje dhe largim mirësie ndodh për shkak të gjynaheve dhe pasojave të hidhura që ato sjellin, sepse Allahu i Lartësuar, nëse e begaton robin me ndonjë mirësi, ia ruan dhe ia shton atë, nga mëshira dhe bamirësia e Tij. Ai kurrë nuk ia largon atë mirësi, derisa vetë robi nxiton dhe, me gjynahet dhe mosbindjen e tij, e largon nga vetja mirësinë e dhuruar prej Zotit. Në suren Rad, ajeti 11, i Lartësuari thotë: “Ai (njeriu) ka (melekë) mbikëqyrës para dhe prapa vetes, që, me urdhrin e Allahut, e ruajnë atë. Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata të ndryshojnë veten e tyre.
Por, kur Allahu vendos ta ndëshkojë një popull, këtë nuk ka kush që mund ta sprapsë. Ata (njerëzit) nuk kanë mbrojtës tjetër veç Tij.” Çdokush që mediton rreth historisë së popujve të cilëve Zoti ua hoqi mirësitë me të cilat i kishte dalluar, e vëren qartë një të vërtetë të tillë të pamohueshme. Në të gjitha rastet, shkaku i atyre pasojave të hidhura ka qenë kundërshtimi i urdhrave të Zotit dhe mosbindja ndaj profetëve dhe ndaj shpalljeve të dërguara prej Tij.
Madje, çdokush që sheh ndryshimet në gjendjen e njerëzve të kohës së vet do të kuptojë se çdo mirësi e hequr prej duarsh është pasojë e mosbindjes dhe e gjynaheve, sikurse thuhet në një vjershë: Nëse ke një mirësi, fort ta ruash në sënduk, se gjynahu po të zuri, ta mbulon edhe ta zhduk. Mirësitë e dhuruara prej Allahut të Lartësuar nuk i ruan dhe kultivon asgjë sikurse i ruan dhe i kultivon bindja ndaj Allahut. Ato nuk i shton asgjë sikurse i shton mirënjohja dhe falënderimi ndaj Allahut të Lartësuar dhe Bujar. Ndërsa poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Allahut i shkatërrojnë mirësitë.
Ato i djegin dhe i zhdukin mirësitë ashtu sikurse zjarri e djeg drurin e thatë. Cilido që, me mendimin e tij, shëtit dhe vështron në historinë e botës nuk ka nevojë që dikush tjetër t’i mësojë këto gjëra rreth saj. Pasojat e të këqijave janë gjithmonë të këqija, sepse ato shkaktojnë dhimbje e dëshpërim shumë të fortë në shpirt dhe në trup. Çdo njeri me logjikë që e trajton këtë çështje ashtu si duhet bën gjithçka për t’u larguar nga shkaqet dhe pasojat e dhimbshme.
Por mospërfillësit e kanë të errësuar logjikën, prandaj Allahu i Lartësuar do ta çojë deri në fund caktimin e Tij të drejtë për ta. Kur ata të përmenden nga hutimi i thellë, sigurisht që zemra do t’u dëshpërohet, kur të shohin se çfarë mirësish të mëdha u kanë ikur prej duarsh, qoftë nga mirësitë e dynjasë, qoftë nga mirësitë e ahiretit, për shkak të këqijave që bënë. Për ata, realiteti do të shihet vetëm kur të bëhen gati për t’u larguar nga kjo botë dhe për të shkuar në botën tjetër, por atëherë do të jetë tepër vonë: “Jo, mosni ashtu!
Kur të dridhet toka njëpasnjëshëm, Kur të vijë Zoti yt dhe melekët të qëndrojnë radhë- radhë. Atë ditë do të sillet Xhehenemi ( para krijesave) . Atë ditë, njeriu do të ndërgjegjësohet, por si do t’i vlejë ky ndërgjegjësim atij? Ai do të thotë: “Ah, i mjeri unë!
Sikur të isha parapërgatitur për jetën time!” Atë Ditë, askush nuk mund të dënojë si Ai e askush nuk mund të lidhë me pranga si Ai. O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt, i kënaqur e i pranuar! Hyr në mesin e adhuruesve të Mi (të devotshëm) !
Dhe hyr në Xhenetin Tim!” [Fexhr 21-30]. I Madhëruari thotë gjithashtu: “Sikur e tërë ajo që është në tokë dhe së bashku me të edhe njëherë aq sa ajo, të ishte pronë e atyre që nuk besojnë, ata do ta jepnin si kompensim për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në ditën e kijametit. Atyre do t’u vijë prej Allahut diçka (një dënim) , që as nuk kanë mundur ta mendojnë."
Ata do të përballen me të këqiat që i bënë me duart e tyre dhe për ta, u bë i meritueshëm dënimi (i Allahut) për shkak të asaj, me të cilën talleshin.” [Zumer 47, 48]. Ose: “Dhe askush të mos thotë: “Ah i mjeri unë që e shpërfilla adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut dhe qeshë nga ata që talleshin (me besimin dhe besimtarët) !” Ose të mos thotë: “Sikur të më kishte udhëzuar Allahu (në rrugë të drejtë) , unë me siguri do të kisha qenë prej të devotshmëve.”
Apo, kur ta shohë dënimin të thotë: “Sikur të isha kthyer edhe një herë (në dynja) unë me siguri do të isha prej vepërmirëve.” Jo. Ty të patën ardhur argumentet e Mia dhe ti i përgënjeshtrove ato, u tregove kryeneç dhe u bëre prej atyre që e mohojnë Besimin (e vërtetë) . [Zumer 56, 59].”
Këto ishin fjalët e Ibn Kajjimit në lidhje me këtë çështje. [Shih në librin “Bedâiul feuaid” të Imam Ibnul Kajim-it] Dhe ruaji ata prej të këqijave,... - Ruaji nga veprat e këqija dhe ndëshkimet që ato sjellin. Veprat e këqija, sigurisht, bëhen shkak për ndëshkim dhe fatkeqësi për punuesin e tyre. ...sepse atë që Ti e mbron atë Ditë prej të këqijave, vërtet e ke mëshiruar! - Kuptimi: Atë që e shpëton nga pasojat dhe ndëshkimi që sjellin gjynahet në Ditën e Gjykimit, atë e ke përfshirë në mëshirën Tënde. Mëshira Jote i ka shoqëruar gjithmonë besimtarët.
Ajo nuk largohet prej tyre, veç nëse bëjnë gjynahe dhe vepra të këqija. Atë që Ti e ke ruajtur nga të këqijat i ke dhënë sukses për të mira e bamirësi e, rrjedhimisht, edhe për shpërblimin e mirë që ato sjellin. Ky është shpëtimi i madh. - Shpëtimi nga gjynahet dhe ndëshkimi që ato sjellin, si dhe udhëzimi për punë të mira dhe shpërblimi që ato sjellin, janë fitorja më e madhe. Askush nuk ka garuar për diçka më të mirë sesa kjo mirësi e fitore.
Kjo lutje e drejtuar nga melekët tregon për diturinë e tyre të thellë rreth Zotit. Që lutja të jetë më e pranueshme, ata ndërmjetësojnë tek Ai me emrat e cilësitë e Tij të bukura. Allahu i Madhëruar e dëshiron që adhuruesi të afrohet tek Ai me emrat e cilësitë e Tij. Ai dëshiron që adhuruesi t’i lutet Atij duke iu drejtuar pikërisht me ato emra e cilësi që janë të përshtatshme me lutjen dhe kërkesën e shtruar.
Kështu, edhe melekët i luten Zotit për falje duke përmendur mëshirën e Tij, e Cila përfshin gjithçka, në mënyrë që përgjigjja të ishte më e sigurt. Ata kërkojnë mëshirë dhe largim të çdo shkaku që e pengon mëshirën e Zotit, siç janë gjynahet dhe punët e këqija. Allahu i Gjithëditur sheh dhe Di për çdo skutë të fshehtë të shpirtit të krijesave dhe i di shumë mirë mangësitë e tyre, të cilat bëhen shkak që ata të bien në gjynahe e gabime. Për këtë arsye, melekët i luten Allahut duke ndërmjetësuar me diturinë e Tij.
Allahu e di më së miri se çfarë mund t’i largojë njerëzit nga gjynahet dhe çfarë mund t’i kthejë ata në rrugën e mëshirës, duke iu druajtur diturisë gjithëpërfshirëse të Zotit. Këto ajete tregojnë, gjithashtu, për edukatën e melekëve me Zotin. Kjo duket në faktin se ata e pranojnë dhe pohojnë që janë krijesa të Zotit, i Cili është El Rab - Krijuesi, Sunduesi, Pronari dhe Kujdestari i tyre, me përkujdesjen e Tij të përgjithshme dhe të posaçme. Përveç kësaj, melekët dëshmojnë se ata vetë nuk kanë asgjë në dorë.
Lutja e tyre është e sinqertë, e drejtuar nga dikush që është i varfër nga çdo aspekt dhe në nevojë për mëshirën dhe përkujdesin e Zotit. Ata nuk shohin në veten e tyre asnjë meritë, me të cilën ata do të kishin të drejtën t’i luteshin apo të pretendonin përgjigje nga Zoti, por i luten Atij si të varfër dhe të përunjur, që Zoti t’u përgjigjet e t'u dhurojë mirësi thjesht nga mëshira, mirësia dhe bujaria e Tij. Gjithashtu, lutja e tyre tregon se ata e duan atë që Zoti e do. Kështu ata i duan veprat e mira dhe adhurimet, sepse edhe Allahu i do ato.
Për këtë arsye, melekët përpiqen maksimalisht për t’i kryer sa më mirë ato, ashtu si di të veprojë ai që e do shumë fort Allahun e Madhëruar. Melekët, gjithashtu, i duan besimtarët, sepse edhe Allahu i do besimtarët, duke i dalluar me dashurinë e Tij mes gjithë krijesave. Ata që Zoti i do, i veçon nga të tjerët, duke u dhuruar besimin, ndërsa të tjerët janë jashtë kësaj lidhjeje të ngushtë. Kështu, nga dashuria që kanë për besimtarët, melekët i luten Allahut për ta dhe përpiqen që t’i rregullojnë ata dhe punët e tyre.
Lutja për dikë është nga shenjat më të qarta të dashurisë për të, sepse çdokush lutet për atë që e do. Allahu i Madhëruar e përcjell me imtësi lutjen e melekëve. Po të vërejmë me kujdes fjalën e Allahut: “ue jestagfirune ...” (kërkojnë falje), do të nxjerrim një mësim shumë të vyer, që na udhëzon se si të meditojmë mbi Librin e Tij. Lexuesi i Kur'anit nuk duhet të kufizohet vetëm në kuptimin e drejtpërdrejtë të tekstit e të fjalëve të tij, por duhet të mendojë për qëllimin dhe nënkuptimet e tyre.
Kur robi e kupton drejt Kur'anin, mendja e tij arrin të kapë jo vetëm çështjen që thuhet drejtpërdrejt, por edhe ato që lidhen me të, pa të cilat ajo çështje nuk mund të arrihet, ashtu si edhe rrugët përmes së cilave ajo realizohet e plotësohet. Kjo ndodh derisa t’i krijohet bindja se ky ka qenë pikërisht qëllimi i Allahut të Madhëruar, ashtu sikurse është i bindur për kuptimin e drejtpërdrejtë të ajetit.
Siguria e medituesit për qëllimin e Allahut të Madhëruar mbështetet në dy shtylla: Së pari , te dituria e tij se i tillë është nënkuptimi i ajetit, pa të cilin edhe kuptimi i drejtpërdrejtë do të ishte i pamundur. Së dyti , te fakti se Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur dhe se Ai vetë i ka urdhëruar adhuruesit e Tij që të meditojnë thellë në Librin e Tij. Allahu i Lartësuar e di shumë mirë se çfarë nënkuptojnë ajetet e Tij dhe na ka njoftuar se Libri i Tij është udhëzim, dritë dhe qartësim për çdo gjë. Libri i Tij është fjala më e qartë dhe qartësuese për gjithçka.
Duke medituar në këtë libër madhështor dhe në mesazhet e shumta që ai përmban, çdokush mund të arrijë dituri të madhe dhe mirësi të shumta, në varësi të suksesit të dhënë nga Allahu i Madhëruar. Edhe në tefsirin tonë ka shumë meditime të tilla, dhe falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar. Në disa ajete, mesazhet e fshehura mund të mos dallohen menjëherë, por vetëm pas një meditimi të drejtë, të ndërtuar mbi rregulla të qarta.
Prandaj ne e lusim Allahun e Madhëruar që të na i hapë mendjet tona dhe t’i bëjë ato të afta për të përfituar nga pafundësia e mëshirës së Tij gjithëpërfshirëse, të nxjerrim mësime të vyera nga ajetet e Tij të mrekullueshme, që ato të bëhen dritë e udhëzim për ne dhe të rregullojnë gjendjen tonë dhe të të gjithë muslimanëve. Ne nuk kemi shpresë tjetër, veç shpresës së madhe në Bujarinë e Tij. Ne ndërmjetësojmë tek Allahu me bamirësinë dhe bujarinë e Tij për të kërkuar mirësitë e Tij. Mirësitë e Tij janë të shumta dhe të panumërta mbi ne.
Ne jetojmë mes mirësive të dhuruara prej Tij në çdo kohë e çast. E lusim Allahun Bujar të na dhurojë prej mirësive së Tij dhe të na ruajë nga ligësia e shpirtrave tanë, që bëhet pengesë dhe na largon nga mëshira e Tij. Ti, o Zoti im, je El Kerim - Bujari, El Xheuad - Bamirësi dhe El Uehhab – Dhuruesi! Ti i ke në dorë shkaqet dhe pasojat dhe gjithçka është thjesht dhuratë e bujari prej Teje.
Gjithashtu, njeriu gjen gëzim e lumturi me njerëzit që ka më pranë: me gruan, fëmijët, shokët, miqtë e tij etj. Afërsia ose lidhja me njerëzit e mirë bëhet shkak që mirësia t’i afrohet dhe të zbresë edhe mbi të, edhe nëse robi vetë nuk e meriton me përpjekjet e tij. Kështu ndodh kur melekët luten për besimtarët dhe të afërmit e tyre besimtarë dhe punëmirë. Dikush mund të thotë se nga kjo lutje nuk mund të përfitojnë të gjithë, por vetëm ata që plotësojnë kushtet e përmendura në ajet, pasi i Lartësuari thotë: “...së bashku me të mirët prej etërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre.”
Kështu, këta të mirë i përfshin lutja e melekëve, për shkak edhe të punëve të tyre të mira. Pra, të afërmve nuk u vjen e mira pa asnjë sebep nga ana e atyre vetë. O Zoti ynë! Futi ata (që pendohen dhe ndjekin rrugën Tënde) në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, ... - Kuptimi: Futi ata në Xhenetin të cilin ua ke premtuar nëpërmjet profetëve të Tu. ...së bashku me të mirët prej etërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre. - Pra, futi në Xhenet së bashku me ata të cilët u rregulluan dhe u bënë të mirë, nëpërmjet imanit dhe veprave sipas këtij imani.
Kësisoj, melekët luten për prindërit, bashkëshortet, shokët e miqtë e besimtarëve, si dhe për pasardhësit e tyre. Vërtet, Ti je Ngadhënjimtari, i Urti! - Ti je Krenari e Ngadhënjimtari, që ke nënshtruar çdo gjë me madhështinë Tënde. Ti u fal gjynahet robërve , largon prej tyre çdo të keqe dhe çdo shkaktar gjynahesh, si dhe u mundëson atyre të arrijnë çdo të mirë. Ti je El Hakimu - i Urti, i Cili vendos gjithçka në vendin e vet.
O Zoti ynë, nuk të lutemi për ndonjë gjë, nëse urtësia Jote sugjeron të kundërtën e lutjes sonë. Ne të lutemi për faljen e besimtarëve, sepse këtë e kërkon urtësia Jote, të cilën e ke sqaruar nëpërmjet profetëve të Tu. Këtë e kërkon, gjithashtu, edhe Bamirësia e Bujaria Jote.
Tefsiri i imamit Ibn Kethir
«Dhe ruaji ata nga të këqijat» do të thotë: nga kryerja e tyre ose nga pasojat e tyre për atë që i kryen.
«Dhe atë që e ruan nga të këqijat atë Ditë» do të thotë: në Ditën e Kiametit.
«Ti e ke mëshiruar» do të thotë: je treguar i butë me të dhe e ke shpëtuar nga ndëshkimi. «E ky është shpëtimi i madh».
«Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, si edhe të devotshmit prej baballarëve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre» do të thotë: bashkoji me ta, që sytë e tyre të gëzohen kur të jenë së bashku në banesa fqinjë me njëra-tjetrën. Kjo është siç thotë i Lartësuari: «Ata që besuan dhe pasardhësit e tyre i ndoqën në besim, Ne do t’ua bashkojmë pasardhësit e tyre, pa u pakësuar asgjë nga veprat e tyre» [Et-Tur, 21]. Domethënë, Ne i vumë të gjithë në të njëjtën shkallë, që sytë e tyre të gëzohen.
Nuk ia ulim pozitën atij që është më lart, që të barazohet me atë që është më poshtë; përkundrazi, atë që ka më pak vepra e ngremë dhe e barazojmë me atë që ka shumë vepra, si mirësi dhe dhuratë nga Ne. Se‘id ibn Xhubejri tha: «Kur besimtari hyn në Xhenet, pyet për babanë, djalin dhe vëllanë e vet: “Ku janë ata?” I thuhet: “Ata nuk arritën pozitën tënde në vepra.” Ai thotë: “Unë veprova për veten dhe për ta.”
Atëherë ata bashkohen me të në gradën e tij.» Pastaj Se‘id ibn Xhubejri recitoi këtë ajet: «Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, si edhe të devotshmit prej baballarëve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi, i Urti.»
Mutarrif ibn Abdullahi ibn Esh-Shikhkhiri tha: «Krijesat më këshilluese të Allahut për besimtarët janë engjëjt.» Pastaj recitoi ajetin: «Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar.» Ndërsa krijesat më mashtruese ndaj besimtarëve janë djajtë.
Fjala e Tij: «Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi, i Urti» do të thotë: Atë nuk mund ta pengojë e as ta mposhtë askush; ajo që Ai dëshiron bëhet dhe ajo që nuk dëshiron nuk bëhet. Ai është i Urti në fjalët dhe veprat e Tij, në ligjin dhe caktimin e Tij, të Madhëruarit. [Et-Tur, 21].
I Lartësuari njofton se engjëjt e afërt, katër bartësit e Fronit dhe kerubinët që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim. Domethënë, ata e bashkojnë madhërimin, që tregon se Ai është i pastër nga të metat, me falënderimin, i cili pohon cilësitë e lavdërueshme. «Dhe i besojnë Atij» do të thotë se janë të përulur para Tij dhe qëndrojnë me nënshtrim përpara Tij. Ata «kërkojnë falje për ata që besojnë», domethënë, për banorët e tokës që besojnë në të fshehtën.
Allahu i caktoi engjëjt e Tij të afërt që të luten për besimtarët pa dijeninë e tyre. Meqë kjo është ndër cilësitë e engjëjve, ata thonë «Amin» pas lutjes së besimtarit për vëllanë e tij pa dijeninë e tij, siç është vërtetuar në Sahih Muslim: «Kur muslimani lutet për vëllanë e tij pa dijeninë e tij, engjëlli thotë: “Amin, dhe ty të qoftë e njëjta gjë!”»
Imam Ahmedi ka thënë: Na tregoi Abdullah ibn Muhammed — domethënë Ibn Ebi Shejbe —, na tregoi Abde ibn Sulejman, nga Muhammed ibn Is’haku, nga Ja‘kub ibn ‘Utbe, nga ‘Ikrime, nga Ibn Abbasi, se i Dërguari i Allahut ﷺ e vërtetoi Umijjen në disa vargje të tij. Një burrë tha: «Një njeri dhe një dem nën këmbën e tij të djathtë, shqiponja nën tjetrën dhe luani në pritë.» I Dërguari i Allahut ﷺ tha: «E vërtetë.» Ai tha edhe: «Dielli del në fund të çdo nate, i kuq; në mëngjes ngjyra e tij bëhet si trëndafili.
Ai kundërshton dhe nuk lind për ne në rregullsinë e vet, veçse i munduar ose i rrahur.» Profeti ﷺ tha: «E vërtetë.» Ky është zinxhir i mirë transmetimi. Kjo tregon se bartësit e Fronit sot janë katër; ndërsa në Ditën e Kiametit do të jenë tetë, siç thotë i Lartësuari: «Atë Ditë, mbi ta Fronin e Zotit tënd do ta bartin tetë» [El-Hakka, 17].
Këtu lind një pyetje: si pajtohet ajo që kuptohet nga ky ajet dhe nga ky hadith me hadithin që e transmetoi Ebu Davudi? Na tregoi Muhammed ibn Es-Sabbah el-Bezzari, na tregoi el-Uelid ibn Ebi Theuri, nga Simaku, nga Abdullahi ibn ‘Umejra, nga el-Ahnaf ibn Kajsi, nga El-Abbas ibn Abdulmuttalibi, i cili tha: «Isha në el-Batha, në një grup njerëzish ku ishte edhe i Dërguari i Allahut ﷺ. Një re kaloi pranë tyre. Ai e pa dhe tha: “Si e quani këtë?”
Ata thanë: “Retë.” Ai tha: “Po el-muzn?” Ata thanë: “Edhe el-muzn.” Ai tha: “Po el-‘anan?” Ata thanë: “El-‘anan.” Ebu Davudi tha: “Nuk e kam fiksuar mirë el-‘ananin.” Ai tha: “A e dini sa është largësia ndërmjet qiellit dhe tokës?”
Ata thanë: “Nuk e dimë.” Ai tha: “Largësia ndërmjet tyre është shtatëdhjetë e një, dy ose shtatëdhjetë e tre vjet; pastaj edhe qielli mbi të është po kështu”, derisa numëroi shtatë qiej. “Mbi qiellin e shtatë është një det; largësia nga fundi i tij deri në sipërfaqe është sa largësia ndërmjet një qielli dhe tjetrit. Mbi të janë tetë dhi mali, ndërmjet thundrave dhe gjunjëve të tyre është sa largësia ndërmjet një qielli dhe tjetrit.
Mbi shpinat e tyre është Froni; largësia nga pjesa e poshtme deri në pjesën e sipërme të tij është sa largësia ndërmjet një qielli dhe tjetrit. Pastaj, mbi të gjitha këto, është Allahu i Madhëruar e i Lartësuar.”» Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe e transmetuan këtë hadith nga Simak ibn Harbi. Tirmidhiu tha: «Hasen garib.»
Kjo tregon se bartësit e Fronit janë tetë, siç tha Shehr ibn Haueshib: «Bartësit e Fronit janë tetë. Katër prej tyre thonë: “I Lartësuar qofsh, o Allah, dhe Ty të qoftë falënderimi! Ty të takon falënderimi për butësinë Tënde, ndonëse Ti di gjithçka.” Ndërsa katër të tjerët thonë: “I Lartësuar qofsh, o Allah, dhe Ty të qoftë falënderimi!
Ty të takon falënderimi për faljen Tënde, ndonëse Ti ke fuqi.”»
Prandaj, kur kërkojnë falje për besimtarët, ata thonë: «Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde», domethënë: mëshira Jote përfshin mëkatet dhe gabimet e tyre, ndërsa dija Jote përfshin të gjitha veprat, lëvizjet dhe qëndrimet e tyre. «Prandaj fali ata që janë penduar dhe ndjekin rrugën Tënde» domethënë: fali ata që kanë bërë keq, kur pendohen, kthehen tek Ti dhe heqin dorë nga ajo që bënin, si dhe ndjekin atë që i ke urdhëruar: të bëjnë vepra të mira e të lënë të këqijat.
«Dhe ruaji nga dënimi i Zjarrit flakërues» do të thotë: largoji prej dënimit të Zjarrit flakërues, ndëshkim i dhembshëm e i rëndë. [El-Hakka, 17; Et-Tur, 21].
Tefsiri i El-Begaviut
«Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, si edhe të devotshmit prej baballarëve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi, i Urti.» Se‘id ibn Xhubejri tha: «Besimtari hyn në Xhenet dhe thotë: “Ku është babai im? Ku është nëna ime?
Ku është fëmija im? Ku është bashkëshortja ime?” I thuhet: “Ata nuk kanë bërë vepra si veprat e tua.” Ai thotë: “Unë veproja për veten dhe për ta.” Atëherë thuhet: “Futini në Xhenet!”»
Fjala e të Madhëruarit: «Ata që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij» do të thotë: bartësit e Fronit dhe ata që rrotullohen rreth tij. Këta janë kerubinët dhe prijësit e engjëjve. Ibn Abbasi tha: «Largësia nga gjuri i njërit prej bartësve të Fronit deri në shputat e këmbëve të tij është sa një udhëtim prej pesëqind vjetësh.» Transmetohet se këmbët e tyre arrijnë në shtresat më të thella të tokave, ndërsa tokat dhe qiejt arrijnë deri te belët e tyre.
Ata thonë: «I lartësuar është Zotëruesi i fuqisë dhe madhështisë! I lartësuar është Zotëruesi i mbretërisë dhe sundimit! I lartësuar është i Gjalli që nuk vdes! I pastër nga çdo e metë dhe i shenjtë është Zoti i engjëjve dhe i Shpirtit!»
Mejsere ibn ‘Urube tha: «Këmbët e tyre janë në tokën më të ulët, ndërsa kokat u kanë depërtuar përtej Fronit. Ata janë të përulur dhe nuk i ngrenë sytë. Ata kanë më shumë frikë se banorët e qiellit të shtatë, dhe banorët e qiellit të shtatë kanë më shumë frikë se ata të qiellit që është poshtë tij; po kështu, secili qiell ka më shumë frikë se ai që është poshtë tij.» Muxhahidi tha: «Ndërmjet engjëjve dhe Fronit ka shtatëdhjetë perde drite.»
Muhammed ibn el-Munkediri transmetoi nga Xhabiri se i Dërguari i Allahut ﷺ tha: «Më është dhënë leja të flas për një engjëll të Allahut prej bartësve të Fronit: largësia nga llapa e veshit deri te shpatulla e tij është sa një udhëtim prej shtatëqind vjetësh.»
Xha‘fer ibn Muhammedi transmetoi nga babai i tij, e ky nga gjyshi i tij, se ai tha: «Largësia ndërmjet njërit nga këmbët mbajtëse të Fronit dhe këmbës tjetër është sa fluturimi i një zogu të shpejtë për tridhjetë mijë vjet. Froni vishet çdo ditë me shtatëdhjetë mijë ngjyra drite; asnjë krijesë e Allahut nuk mund ta shikojë. Të gjitha gjërat, krahasuar me Fronin, janë si një unazë në një shkretëtirë.»
Muxhahidi tha: «Ndërmjet qiellit të shtatë dhe Fronit ka shtatëdhjetë mijë perde drite, një perde errësire, një perde drite dhe një perde errësire.»
Uehb ibn Munebbihu tha: «Rreth Fronit janë shtatëdhjetë mijë radhë engjëjsh, njëra pas tjetrës, që sillen rreth tij. Njëra palë vjen, e tjetra largohet. Kur njëra palë përballet me tjetrën, këta thonë: “La ilahe il-lallah”, ndërsa ata thonë: “Allahu ekber.” Pas tyre janë shtatëdhjetë mijë radhë të tjera në këmbë, me duart e vendosura te qafat dhe mbi supet.
Kur dëgjojnë tekbirin dhe tehlilin e atyre që janë përpara, i ngrenë zërat dhe thonë: “I lartësuar qofsh dhe Ty të qoftë falënderimi! Sa madhështor dhe i lavdishëm je! Ti je Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje; Ti je më i Madhi dhe të gjitha krijesat do të kthehen tek Ti.” Pas tyre janë njëqind mijë radhë engjëjsh, të cilët e kanë vendosur të djathtën mbi të majtën.
Secili prej tyre e madhëron Allahun me një falënderim që nuk e përdor asnjë tjetër. Hapësira ndërmjet dy krahëve të secilit është sa një udhëtim prej treqind vjetësh, ndërsa largësia nga llapa e veshit deri te shpatulla është katërqind vjet.»
Allahu është i fshehur nga engjëjt që janë rreth Fronit me shtatëdhjetë perde zjarri, shtatëdhjetë perde errësire, shtatëdhjetë perde drite, shtatëdhjetë perde perlash të bardha, shtatëdhjetë perde rubinësh të kuq, shtatëdhjetë perde rubinësh të verdhë, shtatëdhjetë perde krizoprazësh të gjelbër, shtatëdhjetë perde dëbore, shtatëdhjetë perde uji, shtatëdhjetë perde breshëri, si dhe me gjëra që nuk i di askush përveç Allahut të Lartësuar. Ai tha: «Secili prej bartësve të Fronit dhe atyre që janë rreth tij ka katër fytyra: fytyrën e demit, të luanit, të shqiponjës dhe të njeriut.
Secili ka katër krahë: dy krahët i ka mbi fytyrë, nga frika se mos e shikon Fronin dhe bie pa ndjenja; me dy krahët e tjerë fluturon. Ata nuk kanë fjalë tjetër përveç madhërimit, falënderimit, tekbirit dhe lavdërimit.»
Fjala e të Madhëruarit: «E madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij» do të thotë: dëshmojnë se Ai është Një dhe nuk ka ortak. Na njoftoi Abdulvahid el-Milihi, na njoftoi Ebu Mensur es-Sem‘ani, na tregoi Ebu Xha‘fer er-Rejjani, na tregoi Humejd ibn Zinxheuje, na tregoi Umer ibn Abdullahi er-Rakashij, na tregoi Xha‘fer ibn Sulejmani, na tregoi Harun ibn Rebabi, i cili tha: Shehr ibn Haueshibi tha: «Bartësit e Fronit janë tetë. Katër prej tyre thonë: “I lartësuar qofsh, o Allah, dhe Ty të qoftë falënderimi! Ty të takon falënderimi për butësinë Tënde, ndonëse Ti di gjithçka.”
Ndërsa katër të tjerët thonë: “I lartësuar qofsh, o Allah, dhe Ty të qoftë falënderimi! Ty të takon falënderimi për faljen Tënde, ndonëse Ti ke fuqi.”» Ai tha: «Duket sikur ata shohin mëkatet e bijve të Ademit.»
Fjala e të Madhëruarit: «Dhe kërkojnë falje për ata që besojnë, duke thënë: “Zoti ynë”» do të thotë se ata thonë: «Zoti ynë». «Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde»: thuhet se kjo është në rasën kallëzore si shpjegim, e thuhet se është sipas përdorimit të ndërruar, me kuptimin: mëshira Jote dhe dija Jote përfshijnë çdo gjë. «Prandaj fali ata që janë penduar dhe ndjekin rrugën Tënde», domethënë fenë Tënde. «Dhe ruaji nga dënimi i Zjarrit flakërues.»
Mutarrifi tha: «Krijesat më këshilluese të Allahut për besimtarët janë engjëjt, kurse krijesat më mashtruese ndaj besimtarëve janë djajtë.»
«Dhe ruaji nga të këqijat» do të thotë: nga ndëshkimet. «Atë që Ti e ruan nga të këqijat» do të thotë: atë që Ti e ruan nga ndëshkimet; thuhet edhe: nga ndëshkimi për të këqijat. «Atë Ditë, Ti e ke mëshiruar; e ky është shpëtimi i madh.»
Në «Sahih Muslim» (nr. 2732) transmetohet: «Lutja e muslimanit për vëllanë e tij në mungesë të tij pranohet; pranë kokës së tij qëndron një engjëll, i cili thotë: “Amin! Edhe ty të qoftë e njëjta gjë!”»